Të gjithë kemi
preferencat tona për frutin më të shijshëm. Kjo edhe pa e ditur se
brenda një kokrre lajthie apo ulliri, gjenden vitamina të shumta, që
ndihmojnë organizmin të punojë në mënyrë të shëndetshme. Pa e ditur se
me lëngun e degëve të dardhës, mund të ulim temperaturën që i ka kaluar
të 40 gradët, edhe pse kemi pirë antibiotikë pa fund. Apo, se me çajin
që përftohet nga thana, manat, degët e ullirit mund të kurohen sëmundje
të tilla si mëlçia, ulcera në stomak, skleroza, etj.
Madje ka
fruta të cilat rekomandohen nga Mjekësia Popullore edhe për kurimin e
sëmundjeve më të rënda, si ato të zemrës, stomakut, tensioni, anemia,
kanceri. Ajo që është më e rëndësishme, mbi të cilën bien dakord, si
Mjekësia Popullore, ashtu edhe ajo moderne e ditëve të sotme, lidhet me
faktin se në tryezën tonë nuk duhet të mungojnë në asnjë vakt frutat.
Larmia e tyre duhet të jetë e madhe, kjo edhe për faktin se organizmi i
njeriut asimilon gjithçka, duke i shndërruar ato në vitaminat dhe
karbohidratet bazë për mirëfunksionimin e të gjitha organeve.
Ja
cilat janë këshillat më të fundit që japin mjekët, që nëse çdokush do
t’i zbatojë nuk do të jetë i rrezikuar nga sëmundjet e stomakut. Bananet
ulin aciditetin e stomakut. Lakra turshi parandalon ulcerën. Hudhrën
parandalon shfaqjen e ulcerës në stomak. Cilat janë vetitë kuruese të
mjaltit, mollës dhe bimëve kurative. Si ndikon mënyra e të ushqyerit në
shfaqjen e sëmundjeve të stomakut. Këto dhe shumë këshilla e rekomandime
të tjera të mjekëve.
Këshillat e mjekëve, përgatitja dhe përdorimi i kurave popullore
Sëmundjet e stomakut janë të shumta dhe të ndryshme. Për mjekimin e
tyre mjekësia popullore ju vjen në ndihmë me disa kura popullore, të
cilat mund t’i përgatitni lehtësisht. Stomaku gjendet në pjesën e
sipërme të barkut, nën brinjë dhe diafragmë, dhe lidhet me gurmazin dhe
zorrët si një kanal i përbashkët, i cili vazhdon deri në anus. Stomaku
ka formën e një qeseje, ndërsa madhësia e tij ndryshon sipas moshës dhe
gjinisë. Stomaku është në gjendje të zgjerohet dhe të mbajë lëndë
ushqimore në sasi deri në disa litra. Mjekët popullorë kanë shpjeguar
sëmundjet që shfaqen në stomak, si dhe kurat popullore për shërimin e
tyre.
Çfarë sëmundjesh mund të shfaqen në stomak?
Në
stomak mund të shfaqen disa lloje sëmundjesh si gastrit akut dhe kronik,
ulcera dhe hiperacidet. Në sëmundjen e gastritit akut, cipa e stomakut
infektohet, pezmatohet. Gjithashtu, cipa e stomakut, dobësohet nën
veprimin e mikroorganizmave, nga substancat kimike, nga ushqimet e
prishura dhe sidomos kur veprohet kundra rregullave të higjienës.
Si ndikon ushqyerja në gastritin akut?
Mënyra e të ushqyerit dhe ushqimi që konsumon çdo njëri është janë
shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje. Ngrënia e tepruar, mospërtypja
mirë e ushqimit nga goja, kur përdoren ushqime të rënda, të nxehta, të
ftohta, ngacmuese, shumë të ëmbla, mish, peshk, patate, perime të
kalbura, duhan, alkool, hudhra, kafe, salcë, shkaktojnë gastrit akut.
Gastriti akut ka këto shenja dobësim trupor, të vjella, dhimbje në
pjesën e sipërme të barkut, ndjesi thartire dhe djegie në stomak.
Gastriti kronik është pezmatimi i stomakut për një kohë të gjatë, si
pasojë e proceseve akute, sidomos kur stomaku rëndohet me ushqime të
tepërta, të nxehta dhe të forta. Sëmundja shkaktohet nga humbja e
oreksit, të vjellat, rëndimi i ushqimit në bark, thartia në stomak,
dhimbjet e kokës, etj. Ulcera e stomakut shkaktohet si pasojë e
gastritit kronik, ku zhvillohen puçrra në cipën e stomakut, ose në
pjesën fillestare të zorrës së hollë (duoden). Kjo është një sëmundje
nga e cila stomaku preket më shpesh.
Djathë dhe qumësht
Për ulcerën në mjekësinë popullore përdoret kjo metodë kurimi. Merrni 1
kg djathë të ri pa kripë, 1 kg qumësht të zier dhe të ftohtë. I përzieni
bashkë derisa të formohet një formë kremi. Përgatesën e mbani në një
enë plastike në frigorifer dhe e konsumoni çdo vakt nga një lugë gjelle
para buke.
Nenexhik
Një lugë çaj nenexhik i copëtuar e
vendosni në një copë leukoplasti, të cilin duhet ta ngjisni mbi
kërthizë. Leukoplastin duhet ta mbani aty për disa orë derisa t’u
pushojë dhimbja e barkut nga shqetësimet e stomakut.
Lakra turshi
Lëngu i lakrave turshi ka dhënë rezultate të mira për sëmundjet e
stomakut dhe për ulcerën. Ky lëng duhet të pihet çdo 2 orë nga 1 lugë
gjelle për 1-2 muaj rresht. Gjatë këtij mjekimi nuk duhet të pihen pije
alkoolike dhe duhan, kurse qumësht dhe lëngje frutash mund të pini sipas
dëshirës.
Panxhari i kuq
Për shërimin e stomakut, merrni
50 gr lëng panxhar të kuq, 50 gr lëng patatesh të shtrydhura, 50 gr lëng
boronicë. Këto përzihen në një enë dhe lihen aty për 7 ditë rresht. Ky
lëng përdoret për mjekimin e gastriteve, hiperacideve, si dhe për
shërimin e ulcerave në stomak e duoden.
Përzierje bimësh
Për mjekimin e gastriteve hiperacide përdoret kjo kurë. Merrni 10 gr
rrënjë çikoreje, 10 gr fruta të dëllinjës së zezë, 30 gr hithra gjethe,
30 gr bar pelini. Merrni 2 lugë çaj nga kjo përzierje dhe e valoni më 1
gotë ujë për 15 min. Ky çaj pihet nga 2 gotë çaji në ditë.
Lule basani
Në 2 litra ujë hidhni 3-4 lule basani të thara e të grimcuara. Këto i
zieni për 20-30 minuta. Pasi përgatesa të ftohët e kulloni dhe
shtrydhni. Çaji pihet gjatë ditës nga 1 ose 2 gotë ujë, pak i vakët dhe i
ëmbëlsuar sipas dëshirës.
Majdanoz
Merrni 1 lugë gjelle
majdanoz, po 1 lugë gjelle rrënjë grami dhe një dorë mustaqe misri.
Përzierjen e zieni për me 3 gota uji për 15-20 minuta. Përgatesa pihet 2
herë në ditë nga 1 gotë e gjysmë uji para buke për 5-6 ditë rresht.
Raki
Për mjekimin e ulcerës, merrni çdo mëngjes esëll 30-40 gr raki rrushi
të fortë 19 gradë. Kjo pihet me gllënjka. Gjysmë orë pas pirjes së
rakisë hani 1 lugë gjelle me mjaltë, kurse në darkë para gjumit, merrni 1
lugë gjelle me vaj lule basani. Mjekimi vazhdon për 30-40 ditë.
Hudhra
Njerëzit që konsumojnë shumë hudhrën janë më pak të prekur nga sëmundja
e ulcerës në stomak. Ajo ka veti dezinfektuese. Hudhra mund të
konsumohet e gatuar, e njomë, por edhe e thatë. Në rastet kur ajo
gatuhet, mundësisht jo shumë të butë, por më e mira do ishte të skuqet
fare pak për të mos i humbur vlerat e saj.
Kura të dobishme për ulcerën e stomakut
Personat më të prekur nga sëmundja e ulcerës në stomak janë pikërisht
meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por,
meqenëse ulcera në më të shumtën e rasteve është e pranishme te personat
që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo arsyeja, pse
ajo është më e përhapur te meshkujt. Njerëzve që vuajnë nga ulcera në
stomak nuk u rekomandohet të pinë kafe. Konsumimi i saj do të ishte e
dëmshme për shëndetin e tyre. Gjithashtu, nuk u këshillohet përdorimi i
aspirinave. Njerëzit që konsumojnë alkool dhe që vuajnë nga kjo sëmundje
duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Alkooli i marrë me aspirinën
ose analgjezikë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku.
Mjalti
Një prej mundësive të pakta që përdoret për kurimin e ulcerës në stomak
është mjalti. Vetitë e tij kuruese janë të dukshme, nëse ai përdoret të
paktën 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Ky përfundim u bë i ditur pas
shpalljes së rezultateve të një studimi të kryer në Zelandën e Re. Në të
morën pjesë më shumë se 2000 pjesëmarrës, në të cilin u vërtetuan
efektet pozitive të tij. Mjalti kishte në përbërje të tij elemente, të
cilat kishin efekt rigjenerues, sidomos te plagët. Ai i pastronte ato
dhe i mbronte nga infeksionet e ndryshme. Për kurimin e kësaj sëmundjeje
shpesh mjalti mund të përdoret me lëngun e gjetheve të murrizit. Çaji
këtyre gjetheve duke u përzier me një sasi mjalti duhet lënë për 24 orë
në një enë dhe më pas pihet nga 1 lugë çdo mëngjes.
Çfarë duhet të kenë kujdes personat që vuajnë nga stomaku
Alkooli
Personat që prekën më shpesh nga sëmundja e ulcerës në stomak janë
meshkujt. Kjo vihet re sidomos të ata që konsumojnë në mënyrë të
rregullt pijet alkoolike. Ende nuk është zbuluar së cilat janë shkaqet.
Aspirina
Njerëzit që vuajnë nga ulcera në stomak dhe që janë përdorues të pijeve
alkoolike duhet të tregojnë kujdes. Alkooli i marrë me aspirinën ose
analgjezitë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku.
Kafeja
Të sëmurëve, që vuajnë nga ulcera në stomak, u ndalohet rreptësisht
pirja e kafesë. Madje, nuk u rekomandohet të konsumojnë as produkte që
kanë në përbërje të tyre kafenë. Konsumimi i saj çon në keqësim të
shëndetit.
Ulliri veti kuruese për stomakun
Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet
e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë tanimë dhe kanë shije të
hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me
rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të
gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte
dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.
Kuron
1-Arteriosklerozën
2-Tensionin e lartë
3-Ul temperaturën e lartë
4-Pakëson sasinë e sheqerit në gjak
5-Rregullon metabolizmi
6-Rekomandohet për ekzemat në lëkurë
Bananet ulin aciditetin e stomakut
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemorragjisë
cerebrale, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e
stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga
tensioni i lartë, duhet të mendoni gjithmonë për frytin tropikal të
bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të
kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se banania është një frutë shumë e
pasur me kalium, dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të
hemorragjisë cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frutë e tillë
ka 396 miligramë ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite.
“Dy deri tre banane në ditë janë optimale”, thotë Biofisikanti David
Young. Nëpërmjet kësaj frute ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër
aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të
bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.
Kuron
1-Ulin tensionin e lartë
2-Janë kundër diarresë
3-Ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale
4-Banania mbron stomakun
Dieta që mbron stomakun, këshilla për stomak të rrafshët
Edhe pse hani pak dhe lëvizni shumë, prapë nuk mund të hiqni qafe
shtresat e dhjamit në stomak. Ndoshta, për të gjitha këto fajtor është
kripa. Ky mineral lidh ujin dhe me këtë fryn fibrat. Njëra nga zonat më
të shpeshta ku grumbullohen kilet e tepërta, është stomaku dhe, çka
është më e tmerrshmja, më vonë kilet e tepërta nga kjo zonë vështirë
hiqen. Nëse filloni dietë pa ushtrime, do të humbisni kilogramë, por
stomaku do të jetë i lëshuar. Nëse vetëm ushtroni dhe vazhdoni të hani
ushqime të njelmëta të dimrit, nuk do të arrini shumë sukses. Ushtrimet e
sugjeruara, ushqimi dhe truket, të cilat do t’u ndihmojnë të humbni në
peshë.
Pini ujë të pa gazuar
Asgjë më lehtë se
kjo: evitoni pijet e gazuara që fryjnë stomakun. Është ideale të pini dy
litra ujë të pa gazuar në ditë dhe stomaku në masë të madhe do t’u
zvogëlohet.
Asgjë pa ushtrime
Për djegien më të mirë të
dhjamit, më së miri është të ushtroni aerobik. Në këtë grup bëjnë pjesë
të gjitha aktivitetet që angazhojnë grupe të mëdha të muskujve –
vrapimi, ecja e shpejtë, noti. Ushtroni çdo ditë 30 minuta.
Shmangni kripën
Edhe pse hani pak dhe lëvizni shumë, prapë nuk mund të hiqni qafe
shtresat e dhjamit në stomak. Ndoshta për të gjitha këto fajtor është
kripa. Ky mineral lidh ujin dhe me këtë frynë fibrat. Për këtë arsye,
mos e teproni me këtë mëlmesë dhe sa herë që është e mundur,
zëvendësojeni me mëlmesë bimësh. Konsumoni në mënyrë të matur djathin
dhe përpunimet e mishit.
Tundja nëpër stomak
Njëri nga fajtorët që stomaku juaj mund të jetë i theksuar, është edhe
tretja e keqe. Shumë femra vuajnë nga ky problem, por pse? Kur ushqimi
në kohë të gjatë qëndron në zorrë, vjen deri te fryrja dhe krijohen
gazrat të cilat e rrisin volumin e stomakut. Ja një veprim i thjeshtë, i
cili do t’u ndihmojë ta zgjidhni këtë problem: gjysmë ore pas ushqimit,
shtrihuni në shpinë dhe pastaj për pesë minuta, me duar tundeni
stomakun. Së pari, shtypeni stomakun me majat e gishtave nga kërthiza në
anën e majtë dhe të djathtë dhe pastaj tundeni stomakun me shuplaka.
Kështu do ta nxisni tretjen.
Tërhiqeni brenda stomakun!
Efekti është i dyfishtë: kur e tërhiqni stomakun, automatikisht dukeni
më vitale. Por kjo nuk është e tëra! Përsëriteni këtë disa herë në ditë,
duke u munduar të qëndroni në këtë pozitë disa sekonda. Kështu do të
forconi muskujt dhe do të zgjidhni problemin e stomakut të theksuar.
Dushi relaksues për vijë vitale
Zhytuni çdo natë në vaskën me ujë. Në mënyrë fantastike do të
relaksoheni, ndërsa mund të punoni edhe në vijën tuaj trupore. Provoni
mënyrën si në vijim: bëni një përzierje prej gjashtë pikave të lëngut të
limonit, dy lugëve ajkë dhe tërë këtë hidheni në ujë. Ledhatojuni për
20 minuta. Temperatura e ujit duhet të jetë 38 gradë. Kjo larje do të
nxisë qarkullimin e gjakut dhe do të tërheqë lëkurën.
Termoterapia shkrin dhjamin
A do të dëshironit që për vikend të vishni një fustan i cili thekson
vijën trupore? Në këtë rast, do t’ju bëjë mirë një terapi e ngrohtë, e
cila largon lëngjet e tepërta nga organizmi dhe shpejt zvogëlon masën e
stomakut. Fërkojeni pakëz losion kundër celulitit në stomak,
mbështilleni belin me folije plastike dhe lëreni të veprojë 15 minuta.
Vetitë e gjetheve të manaferrës për stomakun
Në mjekësinë popullore përdoren frutat, gjethet, lastarët e njomë dhe
rrënjët. Gjethet e reja mblidhen në qershor- korrik dhe thahen në hije
në shtresa të holla. Frutat e manaferrës konsumohen të freskëta pasi
piqen mirë; me to përgatitet reçeli i cilësisë së mirë. Me frutat e
manaferrës bëhet verë, uthull dhe raki. Vera ka vlera të mira mjekësore.
Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, Vitaminë
E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të
pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në
fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës
kanë veti mjekësore shumë të mirë.
Vetitë dietike dhe fitofarmacautike
Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës si gjethet e
majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës, si dhe në
formë kompresash (leckash) me përdorim të jashtëm. Gjethet e manaferrës
kanë veti rrudhëse, djersitëse dhe qetësuese. Ato ndikojnë edhe në
uljen e temperaturës. Në këto raste përdoret infuzi, i cili përgatitet
si vijon: Merren 6-10 gramë gjethe dhe zhyten në një gotë me ujë të
valuar, duke i lënë aty për 10 minuta. Gjatë ditës pihen 1-2 gota të
tilla, në gjendje të vakët. Ky infuz (ose i përgatitur në formë çaji)
rekomandohet të pihet në rastet kur personi ndien djegje në stomak e në
zorrë, në raste thartirash, diarresh, si dhe në formë gargarash
(shpërlarje e gojës dhe e grykës), kur ka djegie në gojë, në mishrat e
dhëmbëve. Ky çaj është shumë rezultativ dhe kundër hemorroideve
(majasëllit) dhe në sëmundjen e sheqerit.
Një çaj shumë i dobishëm për organizmin
Merren 100 gram gjethe manaferrash dhe hidhen në një liter ujë. Këto
zihen jo më shumë se 10 minuta. Nga çaji i përgatitur, pihen tri gota në
ditë, për tri ditë rresht. Çaji i gjetheve, i sythave dhe i lastarëve
përdoret me efekt edhe nga kardiakët (ata që vuajnë nga zemra), ata me
sëmundje të stomakut bile për çdo njeri, qoftë edhe i shëndoshë, çaji i
përmendur jo vetëm që është i parrezikshëm, por, përkundrazi, është
shumë i dobishëm për organizmin e tij. Gjethet e thara të manaferrës
janë përdorur në sëmundjet e mushkërive për ndalimin e gjakut. Këto
përdoren në formë dekokti, duke i dhënë të sëmurit nga 4-5 gota në ditë,
me mjaltë ose me sheqer. Këshilla për përdorim kundër sëmundjes së
sheqerit: Merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen
dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr
tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin
edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si
dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen
në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2
gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë
etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me
infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj. Kundër
dizenterisë përdoret kjo këshillë praktike:
Merren rreth një kg
fruta manaferre dhe pasi shtypen, vihen të zihen për gjysmë ore në një
enë ku është hedhur një gotë me ujë. Nga lëngu i fituar, pasi kullohet,
merren 3-4 lugë gjelle në ditë.
Kundër astmës përdoret kjo
këshillë: Merren një sasi frutash manaferre dhe thahen. Pastaj, bluhen
në mullirin e kafesë. Nga pluhuri i përfituar merren 2 lugë kafeje,
esëll duke përcjellë me qumësht ose me ujë. Pluhuri i formuar nga
bluarja e manaferrave të thara përdoret edhe kundër hemorroideve:
Merren tri here në ditë, para buke, nga një lugë kafeje nga ky pluhur.
Kamomili
Përdoret kundër dhembjeve dhe shtrëngimeve, inflamacioneve të lëkurës
dhe mukozës së gojës, fytit, hundës, syve, po ashtu për rregullimin e
tretjes së ushqimit, pastrimin e rrugëve urinare nga jashtë dhe brenda,
kundër hemorroideve, te kokëdhembjet, për qetësim, për fshikëzën e
urinës, zorrë, stomak, kundër rërës në mëlçinë e zezë, te urinimet me
vështirësi, çrregullimet e menstruacioneve, si mjet kundër qelbëzimeve.
Dhimbja e stomakut
Një zgjerim ose varg zgjerimesh në pjesën pararendëse të kanalit
ushqyes, në të cilin bluhet ushqimi. Sipas ekspertëve kjo është pamja që
ka stomaku gjatë keqfunksionimit të tij. Çdo 24 orë krijohen gjashtë
deri shtatë litra lëngje në kanalin midis stomakut dhe zorrës nga
gjëndrat e pështymës, stomaku, pankreasi, tëmthi dhe zorra e hollë.
Megjithëse njerëzit më të shëndoshë priren të kenë oreks më të madh,
madhësia e stomakut (dhe jo madhësia e trupit) duket se ndikon ndjenjën e
ngopjes gjatë dhe pas ngrënies. Efektet stimulatore të nikotinës
sjellin mbiprodhim të acidit të stomakut, duke kultivuar kështu një
terren për ulcera peptike. Inflamacioni i stomakut – gastriti – dhe
ulcerat peptike janë më të përhapura në alkoolikët. Alkooli i marrë me
aspirinën ose analgjezikë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga
stomaku, veçanërisht në njerëzit me ulcera të stomakut.
Çfarë është ulcera në stomak
Ulcera është një lloj plage e lokalizuar në stomak (ulcera gastrike)
ose në duoden (fillimi i zorrës së trashë). Këto dy lloj ulcerash
karakterizohen nga prekja e faqes së stomakut dhe të duodenit. Kjo
“gropë” fillestare, më pas zgjerohet nga inflamacioni i cili shpesh
është i dhimbshëm. Në formën klasike (30% e rasteve) pikasim një dhimbje
që i ngjan djegies në bark, e cila e rrezaton këtë dhimbje edhe anash
apo në kurriz. Dhimbja ka ritmin e vakteve të ngrënies dhe shfaqet një
çerek ore pas ngrënies. Pra, pacienti vuan pas çdo ngrënie dhe dhimbja
zgjat 2-3 javë dhe më pas zhduket pas disa javësh apo muajsh
Kanceri në stomak
Kanceri në stomak ndodh kur qelizat në një pjesë trupi fillojnë të mos
funksionojnë mirë. Ka shumë lloje kanceri dhe zhvillimi i tyre do të
vijë vetëm si pasojë e rritjes jashtë kontrollit të qelizave jo normale.
Lloje të ndryshme kanceri sillen në mënyrë të ndryshme. Kanceri në
mushkëri, në gjoks, në vaginë dhe kanceri në stomak janë sëmundje shumë
të ndryshme. Sëmundja rritet me ritme të ndryshme dhe i kundërpërgjigjet
në mënyra të ndryshme mjekimit. Njerëzit me kancer kanë nevojë për një
mjekim që i nevojitet llojit të kancerit në stomak që ata kanë. Nëse një
person mjekohet për një lloj tjetër kanceri në stomak, atëherë sëmundja
ekzistuese do të zhvillohet duke u rrezikuar edhe jetën. Kanceri i
stomakut quhet ndryshe edhe kanceri gastrik dhe fillesën e tij e ka
pikërisht aty, në stomak. Stomaku është i ndarë në 5 shtresa të
ndryshme. Kanceri mund të zhvillohet në secilin prej këtyre seksioneve.
Duke filluar nga shtresa më e jashtme, numërohen 5 shtresa dhe shtresa
më e brendshme quhet mukozë. Acidi i stomakut dhe lëngu tretës janë të
përbëra nga shtresa e mukozës. Shtresa tjetër quhet submukoza dhe është e
rrethuar nga muskulaturë, një shtresë muskujsh që lëviz dhe përzien
stomakun. Dy shtresat e tjera janë subceroza dhe ceroza që janë dhe
pjesa mbyllëse ose mbështjellëse e stomakut. Shtresa më e jashtme e
stomakut është ceroza. Pjesa më e madhe e kancerit në stomak fillon bë
mukozë. Kanceri mund të zhvillohet edhe më thellë për shkak se infekton
edhe shtresat e tjera. Sa më i thellë të bëhet dëmtimi aq më e vështirë
është të kurohet kjo sëmundje. Kanceri në stomak mund të zhvillohet me
ngadalë në shumë vjet. Ai nuk shfaqet në mënyrë të papritur. Pasi
kanceri zhvillohet ka shumë ndryshime që ndodhin në pjesën e brendshme
të tij. Ndryshimet e fillimit nuk sjellin shumë simptoma ndaj dhe në
pjesën më të madhe të rasteve janë të pa kuptuara.
Këshilla
1- Përdorni sa më shumë fruta dhe perime. Një dietë e pasur me futa dhe
perime të freskëta, sidomos ato të pasura më shumë vitaminë C, kanë
rezultuar se kanë një ndikim të madh në mbrojtjen kundrejt kancerit në
stomak.
2- Evitoni nitratin dhe potasiumin. Këta përbërës
nitrogjen njihen se janë shumë të dëmshëm dhe japin më shumë mundësi
zhvillimit të kancerit të stomakut. Gjenden më së shumti në mish,
sallam, salçiçe.
3- Limitoni duhanin, ushqimet që përmbajnë
djegës si dhe që janë shumë të kripësuara. Në vendet që tymoset shumë
dhe që preferojnë ushqimet më shumë kripë është vërtetuar se kanë një
nivel më të lartë të prekurve nga kjo sëmundje.
4- Limitoni konsumimin e alkoolit. Alkooli mund të shkaktojë ndryshime në qelizat dhe mund të çojë drejt kancerit.
5- Limitoni mishin e kuq. Konsumimi i sasive të mëdha të mishit të kuq,
sidomos nëse është i skuqur, rrit mundësinë për zhvillimin e kancerit
të stomakut.
6- Vizitohuni tek mjeku nëse keni simptoma të ulcerës, si dhimbja e stomakut, djegia apo të vjelat.
Ushqimet që kurojnë ulcerën
Banania jo e pjekur. Ajo favorizon shërimin e ulcerës gastroduodenale
të lehtë. Duhet të ndiqet një ushqim i ekuilibruar, i pasur në zarzavate
dhe fruta që të kenë vitamina C, e njohur kjo për mbrojtjen e mukozës
së stomakut. Në të kundërtën duhen kufizuar proteinat shtazore dhe
dhjamërat. Mishi, peshku ose veza duhen marre vetëm një herë në ditë.
Duhet përdorur çaji nga bima e njohur e Bar-Bletës.
Disa këshilla për të mos dëmtuar stomakun
1- Gjatë natës trupi ynë qëndron në pozicionin shtrirë mbi krevat, dhe
të gjitha lëngjet e trupit, sidomos lëngjet tretëse të stomakut (acidet)
qëndrojnë për efekt rëndesë dhe enë komunikuese në të njëjtin nivel.
Ndërsa me ngritjen nga pozicioni shtrirë në këmbë të gjitha këto lëngje
fillojnë të lëvizin për efekt rëndese në pjesën e poshtme të trupit,
(fakti që kur ecim shumë apo qëndrojmë shumë në këmbë na fryhen dhe na
dhëmbin këmbët është pikërisht për këtë efekt). Në rastin tonë ajo që na
intereson janë acidet që janë mbledhur në stomak gjatë natës, të cilat
nëpërmjet valvolës së daljes së ushqimit nga stomaku hyjnë në zorrën e
trashë dhe prej aty duhet të neutralizohet nga lëngjet e tjera, siç janë
ato të tëmthit që i ulin dhe ndryshojnë shkallën e acidit për të mos
dëmtuar vetë organizmin.
2- Në drekë duhet ngrënë vetëm
pjata e dytë, që mund të jetë peshk jo i skuqur (me vaj ose gjalpë), por
mundësisht i pjekur në furrë apo zgarë dhe nuk i hidhet limon apo vaj
përsipër. Ose të gjitha mishrat e bardha si ai i pulës, gjeli i detit
kur është i vogël të cilët tretën më shpejt në organizëm, e shoqëruar me
sallatë jeshile pa asgjë tjetër brenda, si ( qepë, domate, etj.) e
spërkatur me kripë dhe me vaj ulliri të vjetruar, dhe me aciditet të
ulët.
3- Në darkë nuk duhet ngrënë asnjëherë mish ose
peshk për arsye se organet tretëse dhe gjithë trupi mbas një dite pune
të lodhshme duhet të pushojë, si rrjedhim organizmi ynë ngadalëson
metabolizmin dhe punën e organeve të tij. Ndërsa ne i japim ushqim
klorik dhe bëjmë të punojë i sforcuar me orë të zgjatura në një kohë kur
ne nuk kemi nevojë për atë energji në atë moment. Prandaj në rastin
konkret duhet të marrim një pjatë makarona ose pilaf i spërkatur me
vajin e ullirit. Makaronat dhe orizi duhet të ziejnë vetëm me ujë dhe me
asnjë lëng tjetër, pastaj ta shoqërojmë me sallatë jeshile. Në fund një
kokërr mollë.
4- Uji. Është shumë i rëndësishëm për
organizmin tonë dhe uji më i mirë është ai i burimit të malit ose uji i
borës, por që pihet në burim dhe jo kur mbyllet në shishe dhe
transportohet në vende të tjera, pasi humbet shumë nga vetitë e tij dhe
bëhet i rëndë. Sepse kthehet në ujë të ndenjur duke u liruar edhe nga
molekulat e ajrit që ndodheshin në të dhe duke depozituar në fund të saj
elementët përbërës. Kjo bën që ky ujë të jetë i rëndë për stomakun
tonë, pasi është kthyer në një masë unike pa molekula ajri. Prandaj që
uji i shishes të rifitojë vetitë e tij fillestarë duhet të pihet i
freskët.
Ftohja e stomakut
Stina e verës
me temperaturat e larta që e shoqërojnë dhe higjiena jo e mirë, shton
rrezikon për shfaqjen e gastro-enteriteve virale sezonal. Mjekët
tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes, sepse mund të
jenë ngjitëse dhe të krijojnë formën e një epidemie. Gastro-enteriti
është inflamacioni i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e
holla dhe ato të trasha. Prandaj shpesh kjo konsiderohet si “ftohje
stomaku”. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit, por
gjatë sezonit të temperaturave të larta merr formën e një epidemie.
Arsyeja e numrit të lartë të rasteve shpjegohet me faktin që
temperaturat e larta krijojnë terren të përshtatshëm për zhvillimin e
mikrobeve që shndërrohen në patogjene për aparatin tretës.
Simptomat:
Diarre e ujshme.
Të vjella.
Dhimbje koke.
Ethe.
Krampe abddominale (dhimbje stomaku).
Këputje trupi.
Temperaturë.
Mungesë oreksi.
Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh.
Aciditeti provokon sëmundjet e stomakut
Është e njohur dhe pranuar nga shumë autoritete mjekësorë fakti që
shumë sëmundje zhvillohen për shkak të uljes së intensitetit të punës së
organeve tona dhe uljes së rezistencës së organizmit për shkak të
acidifikimit organik, duke patur parasysh këtë Dr.George W Crile drejtor
i klinikës Cril në Cleveland, një nga kirurgët më të famshëm në botë
shprehet se “Nuk ekziston vdekje natyrale. Të gjithë rastet e vdekjes
janë vetëm pika e fundit e acidifikimit të organizmit në mënyrë
progresive.
GASTRITI
Kufilmë-pluhur. Rrënjë
kufirme mjekësore. Natën e parë të Hënës së re, pas Solsticit të verës,
gërmoni dhe nxirrni rrënjët e kufilmës. Asnjëherë të gjitha rrënjët e
një bime, por vetëm disa prej tyre, me qëllim që të mos kërcënohet
vazhdimësia dhe ekzistenca e tyre. Rrënjët lajini mirë dhe lërini të
thahen mirë dhe shpejt në rrezet e diellit përvëlues, gjë kjo që pak a
shumë evitohet për barnat e tjera kuruese. Jko pasi tharja në diell
pengon mykjen dhe lëngun mukozë të bimëve me shumë ujë. Ruajeni në një
qese të linjtë.
Përdorimi:
Sipas nevojës pluhurosni një
copë rrënjë dhe merrni tre herë në ditë nga një majë luge. Para se ta
gëlltisni, përtypeni dhe rrotulloheni mirë në gojë. Ky pluhur kufilme
nga njëra anë përforcon efektin e balsamit kufilmë-rozmarinë nga ana
tjetër rekomandohet kundër shqetësimeve, dhimbjeve dhe sëmundjeve të
tilla, si për shembull kundër urthit, gastritit dhe sëmundjeve të tjera
të stomakut e zorrëve.
Lëngu i mollës përmirëson tretjen
Lëngu i mollës bën mirë për tretjen, si dhe për të shmangur problemet
me jashtëqitjen. Ata që kanë probleme me zorrën e trashë duhet të pinë
nga një herë në ditë nga një gotë komposto frutash. Të sëmurët është
mirë që larjen ta bëjnë në vaskë në pozicionin ulur, duke i shtuar ujit
lëvore të bungut dhe kamomil. Por, për t’u shëruar nga infeksionet në
zorrë duhen ngrënë qepë dhe hudhra të freskëta. Ngrënia e një molle të
ëmbël para ushqimit liron zbrazjen e zorrëve. Ata që kanë zorrë përtace
duhet të pinë rregullisht tri herë në ditë nga një gotë lëng molle para
ushqimit.
Mjalti lufton ulcerën e stomakut
Personat më të prekur nga sëmundja e ulcerës në stomak janë pikërisht
meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por,
meqenëse ulcera, në më të shumtën e rasteve, është e pranishme te
personat që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo
arsyeja pse ajo është më e përhapur te meshkujt. Një prej mundësive të
pakta që përdoret për kurimin e ulcerës në stomak është mjalti. Vetitë e
tij kuruese janë të dukshme, nëse ai përdoret të paktën 4 lugë çaji
mjaltë në ditë. Mjalti ka në përbërje të tij elementë, të cilët kanë
efekte rigjeneruese, sidomos te plagët. Ai i pastron ato, dhe i mbron
nga infeksionet e ndryshme.
Brokoli ul rrezikun e kancerit të stomakut
Preferohet të konsumohet i zier, dhe pa asnjë yndyrë. Brokoli, një ndër
bimët jeshile më të përdorura në kuzhinën mesdhetare, veç të tjerash
është edhe “medikamenti” bazë për pakësimin e rrezikut të kancerit të
stomakut dhe të tubit të ushqimit. Nisur nga kjo, rekomandohet konsumimi
i brokolit kryesisht nga gratë që kanë rrezikshmëri të lartë ndaj
kancereve të ndryshme.
Molla
Përgatitja e uthullës së mollës dhe ndikimi i saj në organizëm…
Çfarë është ulçera peptike, shenjat e saj dhe si kurohet
Çfarë është ulçera? Ulçera është një humbje e indit të stomakut ose të
duodenit (zorra 12 gishtore) për arsye të dëmtimit prej acidit të
stomakut dhe lëngjeve tretëse (p.sh pepsina).
Sa është
shpeshtësia? Ulçera e duodenit shfaqet më shpesh se ajo e stomakut.
Është më e shpeshtë rreth moshës 30-50 vjeçare dhe 2-4 herë më shumë tek
meshkujt. Ndërsa ulçera e stomakut shfaqet më shpesh tek gartë mbi
moshën 60 vjeçare.
Cilat janë shenjat? Më e shpeshta
prej tyre është dhimbja e sipërme e barkut (epigastrium) dhe ndjenja e
djegies në këtë zonë. Zakonisht vjen midis vakteve të bukës. Mund ta
ngrej të sëmurin prej gjumi (më së tepërmi tek ulçera duadenale). Më
ngrënien e ushqimit dhe përdorimin e tabletave antiacid dhimbja
zakonisht kalon. Në vjeshtë dhe pranverë dhimbjet shtohen. Më të pakta
janë nauzeja (përzierja e stomakut )dhe të vjellat. Është tipike që kur
villet dhimbjet pakësohen. Mund të ketë rënie në peshë dhe humbje të
oreksit.
Cili është shkaktari? Shkaktari kryesor është
një bakterie e quajtur HELICOBAKTER PYLORI ose përdorimi i disa ilaçeve
si aspirina, NSAI, etj. Disa nga shkaqet e tjera janë trashëgimia,
stresi, ilaçet si kortizoni, alkooli, duhani, ndotja e ambientit.
Helicobakter pylori: Shumica e ulçerave shkaktohen nga kjo bakterie.
Ulçerat duodenale pothuajse 100%. Porse meqë në disa raste megjithëse
tek individi ka Helicobakter pylori por ulçera nuk shfaqet kjo të bën të
mëndosh se ka dhe faktor të tjerë që ndikojnë si trashëgimia.
Helicobakter pylori është shkaktare edhe e gastritit. Bile edhe e
kancerit të stomakut.
Si shihet kjo bakterie? Me anë të
biopsisë të marrë gjatë endoskopisë(sonda ) dhe bërjes së testit ureaz.
Ose vrojtimi i saj patologjik në mikroskop ose mbjellja e saj në kultur
(ambient i përshtatshëm për tu rritur). Mund të gjenden në gjak edhe
antikoret (antitrupat) e formuar karshi kësaj bakterieje.( për të parë
nëse dy muajt e fundit a ka patur apo jo helicobacter pylori)
Ilaçet NSAI dhe ulçera: Një nga faktorët e tjerë kryesor të ulçerës
janë ilaçet si aspirina, endometacina, naprokseni pra ata kundër
dhimbjes dhe kundër reumatizmës. Ky efekt i dëmshëm i tyre mund të
parandalohet me ilaçe të tjera. Personat e sëmurë duhet ta informojnë
doktorin se kanë ulçër kur venë për tu vizituar. Por mund të përdorni
edhe ilaçe qetësuese jo të dëmshme si paracetamoli.
Komplikacionet e Ulçerës
Hemoragjia e stomakut: Një nga shkaktarët kryesor të hemoragjive
(gjakderdhje) të sistemit tretës është ulçera. Këta persona vjellin një
material në ngjyrë kafeje ose nxjerrin një feçes sterr të zezë. Duhet
patjetër të shkojnë në urgjencë. Edhe pa këto shenja nëse djersisin
djersë të ftohta dhe i bie vilani duhet të dyshojnë për hemoragji.
Shpuarja e stomakut (Perforacioni): Ndjehet një dhimbje e forte si
thikë në bark e menjëhershme. Barku forcohet .Lëvizja dhe ndërrimi i
pozicionit për pacientin vështirësohet. Operacioni është zgjidhja e
vetme.
Bllokimi(stenoza) Sidomos ulçerat në duodenum dhe ato
pranë pylorit me edemën e shkaktuar mund të çojnë në një bllokim të
ushqimit. Kjo përfundon me të vjella pasi ushqimi nuk ka ku shkon. Një
vjellje e vazhdueshme dhe me tepricë. Megjithëse personi ushqehet mire
përsëri bie në peshë pasi ushqimet nuk thithen. Duhet operacion.
Diagnoza:Vizita e përgjithshme dhe USG-ja (EKO-JA) nuk na japin ndonjë
të dhënë për ulçerën por na japin mundësinë e largimit prej disa
diagnozave të tjera. Analiza më e mirë është ajo radiologjike e sidomos
EUZOFAGOGASTRODUODENOSKOPIA (sonda nga goja, me anë të një tubi që
përthyhet duke nisur nga goja e deri tek zorra 12 gishtore mjeku mund të
shohi çdo pëllëmbë stomakun dhe duodenin duke marrë biopsi në rastë
nevoje. Gjatë këtij proçesi nuk ndihet dhimbje)
Kurimi
Dieta: Së pari duhani duhet ndaluar sidomos nëse pi shumë. Duhani vonon
shërimin dhe shton përsëritjen e ulçerës. Nuk duhen përdorur ilaçet që
më sipër thamë që janë shkaktar. Duhet ndaluar përdorimi i alkoolit pasi
thyen rezistencën e mukozës mbrojtëse të stomakut. Ndërsa për një dietë
fikse sipas të rejave të fundit nuk mund të flitet. Mirë është që dieta
të individualizohet. Nëse i sëmuri ndihet keq nga një lloj ushqimi le
ta lërë atë. Përdorimi i qumështit nuk është dhe aq i dobishëm bile ka
dhe të dhëna më të fundit se piperi, turshia, yndyrnat dhe ushqimet
acidike nuk janë dhe aq të dëmshme sa mendohej. Megjithatë mendimi im
personal është të ruheni sa të mundeni prej këtyre lloj ushqimesh derisa
të vërtetohen plotësisht këto lloj kërkimesh.
Ilaçet:
Tek ulçera ashtu sikurse edhe tek sëmundja e reflusë përdoren ose
bllokuesit e receptorit H2 (Ranitidin, Famotidin etj.) ose inhibitorët e
pompës së protonit ( Omeprazol, Lansoprazol etj.) duke bllokuar kështu
prodhimin e tepërt të acidit në stomak. Nëse tek i sëmuri është vënë re
Helicobakter pylori duhet përdorur bashkë me ilaçet që pengojnë
aciditetin edhe antibiotikët (amoksicilin dhe klaritromicin apo
metronidazol)
Kur është i nevojshëm operacioni? Pjesa më e madhe e
ulçerave shërohet me ilaçe por në rastet kur ilaçet nuk bëjnë dobi, në
raste e shpuarje të stomakut, bllokim dhe hemoragjie pra komplikacionesh
duhet ndërhyrë kirurgjikisht.
Stomaku dhe pirja e ujit
Detyra e stomakut është që ushqimet ti zbërthejë, depozitojë dhe t’i
transportojë për tek duodenumi (zorra 12 gishtore). Këtë detyrë e kryen
me anë të lëvizjeve dhe lëndëve që sekreton. Pasi ushqimi hyn në stomak
ashtu sikurse dhe në zemër edhe këtu ka një vend i cili prodhon impulse
elektrike. Që këtej prodhohet një impuls në çdo 8-10 sekonda dhe si
pasoj ndodh kontraktimi i muskulit të stomakut. Kjo dallgë e krijuar
përçohet drej zonës së quajtur ‘’pilor’’. Kjo quhet lëvizje
peristaltike. Këto lëvizje janë aq të fuqishme sa mund ta mbyllin
komplet hapësirën e stomakun. Stomaku pasi e ka zbrazur ushqimin që
kishte zvogëlohet. Në të ngelet një sasi lëngjesh prej gati 50 ml.
Ushqimet që hamë si fillim grumbullohen në pjesën e sipërme të
kurvaturës së vogël (incisura inguinale). Vetëm ushqimet e lëngshme dhe
ato gjysëm të lëngshme grumbullohen në antrum. Kurse në pjesën e sipërme
që quhet fundus mbushet me gaz (ajër).Ushqimet startojnë lëvizjet e
stomakut. Në muret e stomakut gjenden reseptorë të ndjeshëm ndaj
lëvizjeve dhe pH-it të stomakut. Këta reseptorë me anë të disa sitemeve
nervore transportuese ( parasempatik nervus vagus + sempatik) e
përcjellin sinjalin drej trurit. Si pasoj lëvizjet e stomakut rriten ose
zvogëlohen.
Gjatë kohës kur stomaku është bosh përsëri
stomaku kontraktohet me rreth 3 kontraktime në minutë. Kjo bëhet shkak
që të ndjejmë dhimbje të stomakut apo ndjenjën e urisë. Kjo gjendje
zgjat rreth 10-60 minuta. Më pas stomakut shplodhet. Na duhet të
përmendim se pozicioni që merr stomaku teksa njeriu është në këmbë dhe
kur është ulur është i ndryshëm. Nëse një njeri e pi ujin në këmbë
atëherë uji shkon më shpejt në zorrën 12 gishtore. Nëse uji pihet ulur
atëherë së pari ai grumbullohet në stomak përzihet me acidin e stomakut
duke ngordhur mikrobet dhe më pas kalon tek zorra 12 gishtore. Kjo është
dhe arsyeja që të pish ujë ulur është një mënyrë parandaluese nga disa
infeksione.
Mjekësia popullore është një praktikë e bazuar në tradita dhe besime të vjetra për shëndetin dhe trajtimin e sëmundjeve, që janë përhapur brez pas brezi nëpër kulturat dhe komunitetet e ndryshme nëpër botë. Kjo praktikë përdor zakonet, metodat dhe bimët natyrale për të mbrojtur shëndetin, trajtuar sëmundjet dhe lehtësuar simptomat.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Më të fundit
Pickimet e trupit dhe mjekimi popullor
Pickimet e trupit gjatë punës janë një problem shpeshherë i përjetuar nga njerëzit në fusha të ndryshme të punës. Pavarësisht nga kujdesi d...
Postimet më popullore
-
Spondiliartroza, Spondylitis është një sëmundje që ka të bëjë me dëmtimin e shtresës tendinoze, diskut, që ndodhet midis dy sipërfaqeve ar...
-
Guri në veshka është një masë e fortë që ndodh kur përbërësit e kalciumit ose kimikate të tjera në urinë formojnë kristale që ngjiten së ...
-
Më shpesh gurët formohen te gratë, të cilat i kanë kaluar 40 vjet. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit raporti midis grave dhe burr...
-
5 Real Ways to Make Money from Home See which opportunities are actually legit and Risk Free Most of us love the idea of earning ...
-
Sëmundjet "ikin" nga kokrrat e shtogut, grjepfruti, patatet e ëmbla, bajamet, spinaqi, jogurti dhe çaji i gjelbër dhe çaji i zi, ...
-
Virozat e stinës nuk prekin vetëm rrugët e frymëmarrjes, por dhe gjëndrën tiroide. Shenjat janë të ngjashme me gripin, prandaj shpesh ne...
-
Personat që vuajnë nga këto lloj sëmundjesh të paraqiten tek Vat Martini në çdo kohë: 1. Ikje kerthize 2. Herrje diskale 3. Ata që vuajn...
No comments:
Post a Comment